|
Njoftim per shtyp
 Zv.ministrja Kasmi sot ne Forumin e Bankës së Shqipërisë : Po rritet numri i titujve te ekzekutimit, bankat më shumë besim tek shërbimi përmbarimor
Roli i shërbimit përmbarimor privat dhe shtetëror në drejtim të ekzekutimi të vendimeve gjyqësore. Kjo ka qënë tema që zv/ministrja e Drejtësisë, znj. Brikena Kasmi ka mbajtur sot në Forumin e Bankes se Shqipërisë :“ Kolaterali, kredia , tregu dhe ligji” ne krah te Ministrit te Financave z. Ridvan Bode dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Adrian Fullani Sipas znj. Kasmi statistikat e deritanishme tregojnë një rritje të numrit të titujve të ekzekutimit si dhe rritje të numrit të cështjeve të kërkuara për ekzekutim, c’ka tregon besim më të madh tek shërbimi përmbarimor. ( me poshte vijon fjala e saj)
Një nga arsyet kryesore të inicimit të reformave të qeverisë shqiptare lidhet drejtpërdrejtë me përmirësimin e klimës së biznesit.E tillë ka qenë dhe liberalizimi i shërbimit të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore. Ky shërbim përmbarimor privat filloi për herë të parë dhe tashmë ka mbushur gjashtë muajt e tij të parë të vënies në efcencë të plotë. Funksionimi i shtetit të së drejtës dhe realizimi i mbrotjes së të drejtave dhe të lirive në Republikën e Shqipërisë, bëhet i mundur nëpëmjet mbylljes së ciklit të mjetit me anë të të cilit pala mbrohet në një proces privat, shtetëror dhe gjyqësor. Ky cikël nga ana juridike nënkupton vecse dy faza: Faza e dytë e ciklit, pra përfitimi konkret nga e drejta apao vënia në ekzekutim e vendimit gjyqësor është faza e cila gjatë këtyrë viteve të fundit ka pësuar ndryshime të mëdha në Shqipëri, ndryshime të cilat kanë synuar krijimin e avantazheve për biznesin në Shqipëri. Ekzekutimi i vendimeve ka qenë një funksion tërësisht shtetëror, madje kohë më parë ky funksion shtetëror ishte i atashuar pranë gjykatës dhe nën mbikqyrjen e saj të plotë. Përvoja historike ka treguar nevojën e pavarësisë së këtij shërbimi, shërbim që sic pranohet nga standartet bashkëkohore duhet ti bindet vetëm ligjit dhe vetëm ligji duhet ta drejtojë atë. Dhënia e drejtësisë nga strukturat shtetërore duhet të vihet në funksion të ekzekutimit të vendime gjyqësore duke bërë të mundur realizimin e plotë të drejtës së personit. Ky ekzekutim në rastin e realizimit të tij nga shteti sikurse dhe nga shërbimi i përmbarimit privat duke ofruar një sistem të dyfishtë dhe paralele, merr një vlerë të shtuar në drejtim të: - Shpejtësisë - Deburokratizimit - Eficencës dhe konkurueshmëris - Moszvarritjes së procesit - Rritjes së cilësisë Kjo praktikë ndiqet sot në disa vende të Evropës për të shmangur dhe minimizuar problematikat që shfaqin procedurat e ankandit në kolateralët e lëna si garanci për dhënien e kredive nga Bankat. Tashmë, janë licensuar përmbaruesit e parë privatë të cilët bashkë me shërbimin e përmbarimit shtetëror jo vetëm kanë rritur numrin e atyre që kryejnë funksionin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore por kanë sjellë gjithashtu dhe pavarësinë e plotë të shërbimit nga cdo lloj ndërhyrje që do të dëmtonte të bërit biznes në Shqipëri. Tashmë palët në realizimin e të drejtave të tyre kanë më tepër mundësi, më tepër mbështetje dhe më trepër bashkëpunim. Të gjitha këto ofrohen nga një kuadër ligjor i plotë dhe i harmonizuar si dhe nga struktura të reja dhe bashkëkohore infrastrukturale sikurse: - Krijimi dhe funksionimi i Dhomës së përmbaruesve private - Krijimi dhe funksionimi i sistemit ALBIS Megjithatë është vendi të pohojmë se jemi akoma në fillim të rrugës. Para disa ditësh ne patëm mundësinë të realizonim një analizë gjashtë mujore të shërbimit të përmbarimit, analizë e cila solli me vehte dhe disa cështje të funksionimit në praktikë të këtij shërbimi. Disa prej tyre do të doja ti bëja publike sërisht me ju këtu sot: - Së pari: Përmirësimi i kundërshtimit të veprimeve përmbarimore dhe moszvarritja e procesit të ekzekutimit në gjykata. Është fakt që pjesa më e madhe e procedurave të ekzekutimit atakohen në gjykatë. Në shumë raste, gjykata ka sjellë vonesë të ekzekutimit të cështjeve gjyqësore duke sjellë pasoja për kreditorin dhe duke cënuar ezekutimin e titujve të ekzekutueshëm, sikurse vendimet apo kontratat, aktet noteriale që përmbajnë detyrime në të holla apo dhënien e kredive. Doktrina juridike me të drejtë pohon se “Ankimi kundër vendimit të gjykatës që ka lëshuar urdhër ekzekutimit nuk duhet të lejohet, pasi në fakt do të synohej në një zvarritje të ekzekutimit”. Kontrolli i gjykatës duhet të mbështetet vetëm në rastet që urdhri i lëshuar përmban një të drejtë të parashkruar ose nëse në urdhër është bërë një interpretim i zgjeruar i përmbajtjes së titullit ekzekutive. Të dyja këto raste i shërbejnë të drejtës së debitorit për tu mbrojtur nëpërmjet kundërshtimit të titullit ekzekutiv ashtu sikurse parashikohet në nenin 609 të Kodit të procedurës civile. Gjatë fazës së kundërshtimit të veprimeve përmbarimore, gjykata duhet vetëm të vlerësojë dy rastet e sipërpërmendura pa i hyrë në themel marrëdhënies kreditor – debitor.
- Së dyti: Zgjerimi i titujve ekzekutivë. Në të drejtën tonë ka gjetur zbatim parimi i të drejtës romake “nulle executtio sine tittulo” është i pavlefshëm ekzekutimi pa titull. Titulli ekzekutiv qëndron si kusht i domosdoshëm për cdo ezekutim forcërisht i cili duhet të jetë në fuqi gjatë të gjithë fazës së tij. Në marrëdhëniet bankare me një ritëm të shpejtë janë futur shërbimet e reja që ofrohen për klientin shqiptar sikurse shërbimet e over-draftit apo kartat e kreditit. Këto shërbime në vetvehte nuk përbëjnë titull ekzekutiv pasi nuk parashikohen në nenin 510 të Kodit të procedurës civile dhe për rrjedhojë nuk bëhen menjëherë të ekzekutueshme si tituj. Ekzekutimi i të drejtës së fituar apo njohur si e tillë për palët njeh zhvillimet dhe përsosjet e vetë të drejtës dhe si e tillë duhet domosdoshmërisht të gjejë të njëjtin standart rregullimi ligjor. - Së treti: Rritja e aksesit të palëve në zbatimin e titujve të ekzekutueshëm, nëpërmjet njoftimit dhe afishimit të listës së përmbaruesve. Bërja publike e listës së përmbaruesve shtetërore dhe privatë lehtëson procedurat e caktimit të përmbaruesve nga kreditori, shmang monopolet që mundet të krijohen dhe rrit konkurueshmërinë e ofrimit të shërbimit. - Së katërti: Rregullimi i marrëdhënieve të kreditorit me përmbaruesin në drejtim të sigurisë së shërbimit të ofruar po ashtu dhe në drejtim të bashkëpunimit për të vënë në funksion të plotë zbatimin e parimit të qartësisë dhe saktësisë. Për të arritur një nivel të lartë ekzekutimi është e nevojshme që si për kreditorin ashtu dhe për debitorin, e drejta që kërkohet të zbatohet të jetë e qartë dhe e saktë, të jetë e ekzekutueshme dhe e kërkueshme. Qartësia dhe saktësia i referohen të drejtës së fituar në kufijtë e përcaktuar në vendimin e gjykatës ose aktit administrativ nëpërmjet individualizimit apo përcaktimit të asaj që duhet të jepet, të kryhet apo zbatohet. - Së pesti: Sigurimi i padisë duhet parë si një mjet që ofron sigurinë dhe mbrojtjen për të dyja palët si për kreditorin ashtu dhe për debitorin. Deri tani sigurimi i padisë është parë si një mjet mbrojtje vetëm për debitorin pa marrë në konsideratë dëmin që mundet ti shkaktohet kreditorit si psh banka në rast të mosekzekutimit të kolateralit. Sikurse vihet re, stadet në të cilat ndodhet ekonomia shqiptare janë stade të një niveli bashkëkohor, që tregon kapacitetin e ekonomisë dhe kapitaleve të saj për të konkuruar me tregjet evropiane. Kështu, të gjitha shërbimet që ofrohen në drejtim të përmirësimit të biznesit duhet të jenë të niveleve të tilla bashkëkohore. Detyra konkrete dalin për ne- Rritja e aftësisë dhe kapaciteteve ekzekutuesë të titujve të ekzekutueshëm - Sigurimi i një efektiviteti në ekzekutimin e titujve në drejtim të përmirësimit të trajnimeve, buxhetit dhe infrastructures - Rritja e aftësive kualifikuese dhe kërkesave kualifikuese nëpoërmjet specializimeve apoparashikimit të stazheve të proves - Përmirësimi i monitorimit dhe procedurave të kontrollit - Rritja e bashkëpunimit të strukturave përgjegjëse për ekzekutimin Një manual i cili do të vijë në ndihmë të procesit të ekzekutimit të titujve të ekzekutueshëm është duke u hartuar nga ekspertë të ministrisë së drejtësisë si dhe ata ndërkombëtarë. Një pjesë të rëndësishme shpjeguese në të këtë manual zë dhe veprimet përmbarimore dhe cështjet praktike lidhur me ekzekutimin e kolateralit. Statistikat e deritanishme tregojnë një rritje të numrit të titujve të ekzekutimit si dhe rritje të numrit të cështjeve të kërkuara për ekzekutim, cka tregon besim më të madh tek shërbimi përmbarimor. Vlera e këtij takimi padyshim qëndron jo vetëm në monitorimin e ecurisë së legjislacionit por dhe në shkëmbimin e pikëpamjeve konstruktive duke vënë qëllimin e legjislatorit përballë vështirësive praktike të operatorëve që iu bie barra e zbatimit, këtyre operatorëve iu lind detyra e veshtirë e zbatimit të suksesshëm të legjislacionit duke kujtuar tashmë se sfida e përbashkët qëndron pikërisht në implementimin korrekt të kuadrit ligjor të miratuar si garanci e domosdoshme dhe e lidhur e reformave të ndërmarra. Një pjesë legjislacioni sado cilësor qoftë ai, mbetet pa vlerë nëse nuk zbatohet në mënyrë korrekte. Padyshim që zhvillimet e marrëdhënieve, evidentojnë probleme të cilat mundet të mos jenë konsideruar në kohën e hartimit të legjislacionit. Këtij qëllimi i shërben dhe përmirësimi i vazhdueshëm i legjislacionit në fuqi. Një pjesë e cështjeve do të bëhen prezentë në takimin e sotëm në diskutimet ndërmjet përfaqësuesve të bankave të nivelit të dytë, ministrisë së drejtësisë dhe asaj të financave si dhe përfaqësues të shërbimit përmbarimor shtetëror dhe privat. Ne shohim me interes shqetësimet që lidhen me procedurën civile, reformi i së cilës është në kalendarin e ministrisë së drejtësisë. Nga ana tjetër një raport analize është paraqitur nga partnerët ndërkombëtare, raport që u diskutua në takimin e para disa ditëve. Megjithatë, përmirësimi i performancës së shërbimit të përmbarimit mbetet një reformë që synohet të përmbushët nëpërmjet procesit të vazhdueshëm të konsultimit me operatorët zbatues ndërmjet të cilëve dhe sistemi bankar. Ky sukses nuk i përket vetëm ministrisë së drejtësisë dhe qeverisë, ai është i lidhur dhe ndikon drejtpërdrejtë tek qytetarët. Rjedhimisht sfida për të ardhmen është angazhimi dhe kontributi maksimal i të gjithëve duke bashkërenduar dhe koordinuar përpjekjet tona jo vetëm për finalizimin por dhe për implementimin e reformimit të sistemit të ekzekutitmit të vendimeve gjyqësore. Duke ju falenderuar për vëmendjen dëshiroj të shpreh dhe njëherë angazhimin maksimal të ministrisë së drejtësisë në drejtim të zgjidhjes juridike dhe rregullimit të kuadrit ligjor, së problematikave të paraqitura nga bankat gjatë ekzekutimit të kolateralit.
*Fjala e zv. Brikena Kasmi mbajtur sot ne Forumin e Bankes se Shqipërisë “ Kolaterali, kredia , tregu dhe ligji”12/07/2011
|
Aktivitete
|