Ministri Halimi me EURALIUS III : Po punojmë së bashku për konsolidimin e drejtësisë
Ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi mori pjese sot në mbledhjen e radhës të Këshillit Drejtues të një prej Projekteve më të rëndësishme për Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë Shqiptare, të financuar nga Delegacioni Europian në Drejtësi, atë të “Konsolidimit të Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”.
Në fjalën e tij mbajtur me këtë rast Ministri Halimi u shpreh se : “Reforma në drejtësi dhe konsolidimi i Sistemit të Drejtësisë ështe padyshim, prioritet absolut i veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë në materializim të politikës së Qeverisë Shqiptare për forcimin e shtetit ligjor, mbrojtjen e vendosur të lirive e të drejtave themelore të njeriut, sigurimin e besimit të qytetarëve tek drejtësia, rritjen e transparencës, si dhe luftën pa kompromis kundër shfaqjeve korruptive.
Projekti Euralius III është duke u zbatuar në një moment kyç për Shqipërinë, në pritje të vlerësimit të Komisionit Evropian mbi kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Ky projekt është duke u zbatuar edhe në një platformë tepër të favorshme për Ministrinë e Drejtësisë, e cila ka filluar zbatimin e Strategjisë Qeveritare të Drejtësisë.
Pak më parë përmenda, se ky mision dhe ekipi i tij, bën një ndryshim të madh bashkëpunimi dhe angazhimi, jo vetëm me Ministrinë e Drejtësisë por dhe me aktorët e tjerë të sistemit si gjyqësori, prokuroria dhe KLD.
Ka dy mënyra për të punuar si këshillues në këtë projekt. E para është të mos bësh asgjë, të mos propozosh asnjë reformë, të mos shkruash asnjë amendament, por vetëm të kritikosh atë që bëjnë të tjerët, e thene ndryshe te qendrosh ne rolin e kritizerit; e dyta është të ulesh, të shkruash, të propozosh reforma, të shkruash ligje, të sugjerosh amendime, të sugjerosh përqasje dhe të sjellesh këtu, traditën ligjore me të mirë europiane.
Jam i kënaqur që së bashku me drejtuesit e misionit dhe ekspertët vendosëm të bejmë më të mirën, alternativën e dytë.
Ministria e Drejtësisë është angazhuar në mënyrë dinamike për reformimin e sistemit të drejtësisë. Sot ne kemi shumë për të folur për kontributin e projektit.
Për shkak se vitin e kaluar ka munguar tërësisht konsensusi parlamentar për ligjet me 3/5 pas diskutimit me projektin vendosëm që reformat dhe zbatimi i strategjisë të fillonte me aktoret e sistemit, reformimi i të cilëve nuk kërkonte shumicë të cilësuar ne votimin ne parlament.
Vitin e kaluar ne u fokusuam fort, tek plani ynë për digitalizimin e sistemit të drejtësisë, të bindur se realizimi i tij, do të sjellë një impakt jashtëzakonisht të rëndësishëm në konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Digitalizimi dhe teknologjia sjellin në mënyrë të padiskutueshme, rritjen e transparencës. Rritja e transparancës sjell domosdoshmërisht rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së aktorëve ndaj ligjit, kushtetutes dhe mbi te gjitha publikut, duke sjelle rrjedhimisht uljen e korrupsionit në drejtësi.
Ndaj dhe ne u fokusuam vitin e kaluar në krijimin e bazës ligjore për digitalizimin e aktorëve kryesore të sistemit të drejtësisë.
Nuk ka reformë në Ministrinë e Drejtësisë që të mos ketë dorën e partnerëve tanë dhe sidomos Projektit Euralius. Krijuam vjet bazën ligjore për digitalizmin e noterisë, me kontributin e Euralius, të digitalizimit të ZRPP, të mbikqyrjes elektronike për të dënuarit, të digitalizmit të sistemit gjyqësor, të portalit të ankimeve ndaj gjyqësorit etj.
E kam thene dhe me pare, se eshte e rendesishme qe ne te mos flasim vetem ne kohen e ardhme, per ato qe do te bejme, por dhe ti themi qytetareve, ti informojme ata mbi ato qe kemi realizuar. Sot këto reforma po bëhen realitet dhe cdo ditë sistemi fillon të lëvizë dhe publiku po ndjen dhe po e sheh cdo ditë. Ne po inaguorjme cdo jave dhe cdo muaj, implementimin e reformave, dhe per kete duhet te falenderoj per gjithe mbeshtetjen edhe projektin Euralius III.
Këtë vit për shkak edhe të lëvizjes pozitive në dhënien e konsensusit parlamentar për ligjet me 3/5, Projekti dhe ministria ju përshtatën këtij realiteti. Plani ynë legjislativ për këtë vit me qëllim konsolidimin e shtetit të së drejtës, ndryshoi.
Ai u orientua drejt ligjeve themelore të strategjisë së drejtësisë dhe prioriteteve të integrimit. Hartuam së bashku axhendën për ligjet ku vendosëm të ndërhynim gjatë këtij viti, duke patur objektiva realiste por dhe domethënëse.
Në këtë kontekst, merr rëndësi parësore asistenca e Misionit Euralius III, ekspertiza e të cilit ka optimizuar efektivitetin dhe cilësinë e masave ligjore dhe institucionale që po ndërmerren. Ekspertiza e këtij Misioni padyshim shërben edhe si garant për përqasjen e legjislacionit dhe zhvillimeve institucionale shqiptare me standartet evropiane dhe praktikat më të mira.
Në kuadër të reformave legjislative të sistemit të Drejtësisë, spikasin miratimi i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative”, si dhe hartimi i drafteve për Gjykatën e Lartë dhe Konferencën Gjyqësore Kombëtare, të miratuara në Këshillin e Ministrave javën e shkuar.
Ato ofrojnë garancitë e duhura për profilizimin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve që do të rekrutohen në to, por edhe rregulla të transparencës së veprimtarisë së tyre. Nga ana tjetër, miratimi i ligjit për Konferencën Gjyqësore Kombëtare pritet t’i japë hov zhvillimeve të brendshme në pushtetin gjyqësor, duke i dhënë rolin që komuniteti i gjyqtarëve meriton, por edhe duke shmangur konfliktin e interesit të anëtarëve të KLD-së të zgjedhur prej kësaj Konference.
Tashmë, me asistencën e Misionit Euralius është drejt finalizimit edhe projektligji “Për profesionin e avokatit”, i cili pritet të adresojë një nga çështjet më akute të sistemit – shmangien e taktikave vonuese të avokatëve në zvarritjen e gjykimeve. Unë jam i sigurtë që bashkëpunimi me Misionin Euralius në fushën e hartimit të legjislacionit do të vijojë të intensifikohet dhe do të na japë mundësinë të finalizojmë të gjitha angazhimet që Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë.
Në kuadër të monitorimit të legjislacionit, dëshiroj të përmend kontributin e Misionit Euralius III në disa aktorë të tjerë të sistemit të drejtësisë.
Sigurisht që ne nuk jemi utopikë. Digitalizimi apo miratimi i ligjeve nuk i jep fund korrupsionit në drejtësi. Projekti ka evidentuar me të drejtë se cështja e korrupsionit në drejtësi ka lidhje të drejtëpërdrejtë me promovimin e gjyqtarëve bazuar në meritokraci dhe jo mbi baza klienteliste. Projekti ka kërkuar prej vitit të kaluar që KLD të miratojë akte nënligjore të qartë për promovimin dhe karrierën e gjyqtarëve. Këto vendime akoma nuk janë marrë. Ajo që i ndodhi sistemit gjyqësor gjatë viteve të fundit, ishte padyshim një goditje e rëndë, e cila do shumë kohe të rinovohet, dhe unë jam i bindur se KLD dhe projektin Euralius e pret një punë e madhe në vjeshtën e këtij viti. Vetëm promovimi i gjyqtarëve dhe prokuroreve në bazë të një sistemi të qartë karriere dhe vlerësimi, bazuar në kritere të qarta dhe transparente si dhe largimi i gjyqtarëve dhe prokuroreve të korruptuar nga sistemi, pa asnjë kompromis, do të sjellë nje impakt real në përmirësimin e sistemit. Projekti e ka evidentuar qartë problemin dhe ka berë rekomandime të qarta të cilat unë i mbështes plotësisht dh pres qe ato te implementohen gjate 6- mujorit te dyte te ketij viti.
Ekspertiza e Misionit Euralius na ka ndihmuar të finalizojmë disa studime shumë të rëndësishme për rritjen e efikasitetit në sistemin e drejtësisë. Studimi mbi rrishikimin dhe rialokimin e gjyqtarëve në gjithë Shqipërinë është absolutisht shumë i rëndësishëm si për shpërndarjen e drejtë të gjyqtarëve ashtu edhe për përfitimin e drejtë të shërbimit publik nga gjykatat. Ky studim do ti paraqitet në shtator KLD dhe Presidentit të Republikës për të proceduar më tej me aplikimin e tij gjatë vitit 2013.
Po kështu Misioni ka përgatitur një studim shumë të mirë për shpërndarjen e numrit të noterëve në territorin e Republikës së Shqipërisë, nën parimin e ofrimit të shërbimeve sa më afër qytetarit, i cili tashmë është duke u zbatuar në praktikë.
Nuk mund të lë pa përmendur edhe reformën në sistemin përmbarimor privat, e cila është një histori suksesi në Shqipëri, e pranuar jo vetëm nga komuniteti vendas, por edhe nga ndërkombëtarët. Tashmë, ne kemi një vizion të qartë për masat që duhet të ndërmarrim për konsolidimin e këtij sistemi, që shtrihen në drejtim të rekrutimit profesional kompetitiv të përmbaruesve, shpërndarjes së përshtatshme territoriale të tyre, trajnimit të qëndrueshëm të tyre, përdorimit maksimalisht të sistemit ALBIS gjer tek inspektimi efikas nëpërmjet standardeve evropiane për zbatimin e ligjit nga përmbaruesit.
Dëshiroj të theksoj, se krahas kontributit me sugjerime e rekomandime konkrete, ekspertët e Misionit Euralius, kanë luajtur edhe një rol të vlefshëm në konsolidimin e dialogut ndërinstitucional. Shpesh ata kanë qenë në pozicionin e ndërmjetësit, jo vetëm midis agjencive qeveritare, por edhe tek përfaqësuesit e opozitës, sidomos në nismat ligjore, që kërkonin shumicë të cilësuar për miratimin e tyre.
Shpresoj shume dhe uroj qe ky rol i tyre, te perdoret edhe ne sfiden e rradhes qe ka sistemi i drejtesise ne Shqiperi per heqjen e imunitetit. Cdo qytetar sot, e kerkon ne menyre logjike heqjen e imunitetit, si nje mjet te qarte ne luften kunder korupsionit ne drejtesi. Kjo nisme e cila mbeshtetet sot nga te gjithe qytetaret duhet te mbeshtetet padyshim edhe nga aktoret politike por edhe nga aktoret e sistemit te drejtesise, dhe une shpresoj qe ne ditet ne vijim parlamenti te miratoje kete nisem.
Të nderuar pjesëmarrës,
Unë jam i sigurtë që reformimi i sistemit të drejtësisë do të vijojë progresin me intensitet të shtuar, për të konsoliduar këtë sistem dhe për të fituar plotësisht besimin publik të qytetarëve, të cilët e meritojnë të kenë një sistem drejtësie të pavarur, të përgjegjshëm dhe transparent. Duke përfituar nga rasti, dëshiroj t’ju uroj punim të mbarë të këtij takimi, me besimin e plotë se asistenca e Misionit Euralius do të arrijë qëllimet, për të cilin është projektuar dhe do të japë përfitim të drejtpërdrejtë dhe me vlerë për autoritetet shqiptare. Faleminderit!