Halimi: Gjykata e Krimeve të Rënda kontribut historik në luftën ndaj krimit të organizuar
"Falë Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Shtetit, Shqipëria sot është jashtë hartës problematike të krimit të organizuar”. Këtë mesazh përcolli sot ,Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi në konferencën me temë: “Praktikat e mira të drejtësisë penale”, organizuar sot në hotel "Tirana Internacional", nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe EURALIUS, Misioni i asistencës europiane për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri.
Ministri Halimi duke shprehur vlerësimin e tij për punën e bërë nga Gjykata e Krimeve të Rënda tha se: “Gjyqtarët e kësaj Gjykate kanë të drejtë të krenohen për kontributin e tyre në luftën pa kompromis kundër krimit dhe bandave". “Tetë vjet pas krijimit të saj, Gjykata e Krimeve të Rënda i dha fund historisë së bandave dhe krimit të organizuar në Shqipëri", theksoi Halimi.
Ministrisë së Drejtësisë, shprehu vendosmërinë e Qeverisë për të luftuar me zero tolerancë krimin e organizuar si dhe për të goditur pasurinë e tij. “Detyrë primare e çdo qeverie është të krijojë siguri për qytetarët e saj, të hartojë paketa ligjore për ti dhënë armët në dorë organeve të zbatimit të ligjit për të luftuar krimin", tha Halimi.
Më tej ai theksoi rëndësinë e nismave ligjore të ndërmarra vitet e fundit për luftën kundër krimit, duke veçuar marrëveshjen e bashkëpunimit me Italinë, kryesisht për ekstradimin e personave të inkriminuar, miratimin në Parlament të ligjit antimafia, etj.
Në mbyllje të fjalës së tij , ministri falënderoi trupën gjyqësore të Gjykatës së Krimeve të rënda për përkushtimin e madh në të mirë të drejtësisë, në të mirë të sigurisë për qytetarët, në luftë të pareshtur ndaj krimit.
Më poshtë fjala e plotë e Ministrit :
"Praktikat më të mira te drejtësisë penale “
Aktiviteti i Gjykatës të Krimeve të Rënda kontribut për një historik solid ne luftën kundër krimit te organizuar
-Përditshmëritë, Arritjet, Perspektiva ligjore-
Sot është një ditë e mirë për sistemin gjyqësor. Sot është një ditë ku me shumë të drejtë gjyqtarët e kësaj gjykate kanë të drejtë të krenohen. Të krenohen për një kontribut historik të tyre, në luftën pa kompromis ndaj krimit të organizuar.
Falë policisë se shtetit dhe këtyre gjyqtareve, 8 vjet pas krijimit te saj, Gjykata e Krimeve të Rënda i dha fund historisë së bandave të krimit të organizuar në Shqipëri.
8 vjet më parë, një ambasador i një vendi mik, artikuloi akuza të rënda në drejtim të krimit të organizuar dhe lidhjet e krimit me politikën dhe familjet e mëdha, siç i quajti ai. Banda që lëviznin lirshëm në Shqipëri. Kryetare bandash të krimit të organizuar që lëviznin me makina zyrtarësh të lartë.
Pak kohë më vonë, përgjimet e autoriteteve të huaja gjyqësore në vendet fqinje zbardhen detaje sesi komunikonin kryetarët e bandave me shefat e policisë të cilët organizonin lëvizjen me eskorte të krimit, bandave dhe drogës.
Por sot, falë jush dhe policisë së shtetit Shqipëria nuk është më strehë e krimit të organizuar.
Detyra primare e qeverive është të krijojë sigurinë për qytetarët e saj. Detyra e saj është të hartojë paketa ligjore, për t’i dhënë “armët” organeve të zbatimit të ligjit për të luftuar në betejat me krimin e organizuar dhe bandat.
Pak vite me parë parlamenti me një shprehje të hekurt vullneti për luftën kundër krimit të organizuar, miratoi një Marrëveshje Dypalëshe me Italinë, unike ne rajon, sipas së cilës krimi i organizuar në çdo vend që do ndodhej nuk do gjente strehë.
Zbatimi i saj që ka filluar pak kohë me parë, ka sjellë një nga praktikat më të mira të drejtësisë penale, duke dhënë një impakt konkret pozitiv dhe efekt të menjëhershëm veçanërisht në lidhje me ekstradimin e shtetasve shqiptare që janë shmangur drejtësisë italiane.
Ky instrument bashkëpunimi dypalësh, përben një shembull sinjifikativ për te gjithë vendet e rajonit, mbi angazhimin konkret te vendit tone ne luftën kundër krimit te organizuar.
Janë mbi 40 personat e ekstraduar ne Itali vetëm muaj e fundit, duke sjelle nje garanci per qytetaret dhe publikun: Krimi nuk ka me strehe ne Shqipëri, dhe kjo u be e mundur fale jush, fale kontributit tuaj dhe organeve te zbatimit te ligjit ne Shqipëri.
Kjo gjykate ka dhenë një kontribut real ne ecurinë e kësaj marrëveshje kundër krimit, ndaj dhe nga njëra anë, ju falënderoj të gjithë juve, për korrektësinë dhe përgjegjshmërinë maksimale që keni treguar në kryerjen e detyrës në lidhje me eficensën e kësaj marrëveshje, dhe nga ana tjetër, ju garantoj se çdo gjyqtar ose punonjës i drejtësisë qe është munduar te devijoje qëllimin e zbatimit te kësaj marrëveshje Antikrim mes dy vendeve, do te përballet me ligjin dhe kushtetutën e vendit.
Pak vite me pare miratuam ne parlament një nga ligjet me te rëndësishme ne luftën kundër krimit te organizuar, ligjin Antimafia. Opozita e kundërshtoi me ore te tere ne parlament. Por qeveria ishte e vendosur, duke e cilësuar si beteje me tolerance zero, betejën me krimin e organizuar ne te mire te shqiptareve, ne te te mire te sigurisë se tyre, dhe luftës pa kompromis ndaj kësaj forme krimi.
Ashpërsimi i ligjit antimafia, edhe kundër mosdhënies se pëlqimit nga forcat politike, ashpërsimi i intensitetit te goditjes se krimit, bashkëpunim te shkëlqyer me agjencitë e zbatimit te ligjit sjellin sot rezultate historike ne luften ndaj bandave.
E kam thëne edhe ne parlament pak vite me pare teksa diskutohej ligji antimafia, se nëse kërkon të qëllosh krimin, duhet ta godasësh ate atje ku atij i dhemb më shumë dhe atje ku i buron fuqia e tij: tek pasuria
Rezultatet e sotme janë historike ne luftën ndaj krimit te organizuar
Vetëm vlera e pasurive të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara nga gjykata e krimeve te renda është rreth 20 milion EURO. Janë 20 milion euro qe i janë marre krimit dhe e dobësojnë ndjeshme atë dhe i jepen fuqizimit te shtetit ligjor
Janë me dhjetëra e dhjetëra apartamente banimi, çdo vit, dhjetra njësi tregtare, biznese, troje të cilat kalojnë me qindra- mijëra m2, me dhjetëra automjete luksoze të cilat përbejnë rezultatet e luftës ndaj krimit të organizuar me mbështetjen e punës dhe profesionalizmit të kesaj gjykate.
Vetëm pas miratimit te ligjit antimafia sipas statistikave qe me ka përcjellë sot kryetari i kësaj gjykate, është rritur me 200 % konfiskimi i aseteve kriminale në vlerë monetare.
Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive te bandave kriminale por edhe politika e ashper penale qe ndiqet me shume përgjegjshmëri nga ana juaj, i kane dhenë goditjen me te rende grupeve te krimit të trafikimit të narkotikëve dhe prostitucionit.
Këto janë faktet. Te vërteta, reale, sinjifikative dhe absolutisht historike te nje beteje te drejtësisë me krimin e organizuar.
Ndaj dhe thashë se sot është dite e mire për drejtësinë ne Shqipëri.
Sot kam kënaqësinë qe një trupe gjyqësore ti drejtohem: - Faleminderit për punën e madhe, përkushtimin e madh në të mirë të drejtësisë, në të mirë të sigurisë për qytetarët, në luftë të pareshtur ndaj krimit.
Puna që ju bëni është një punë e vështirë, për ju dhe për familjet tuaja. Falë jush, dhe falë atyre qindra e mijëra policëve të përkushtuar, atyre policëve që kanë rënë ne krye te detyrës gjate përpjekjeve me krimin, Shqipëria sot është jashtë hartës problematike te krimit te organizuar.
Fale jush dhe policisë, falë mundit, djersës, përkushtimit dhe profesionalizmit tuaj, qytetaret shqiptare sot e bëjnë gjumin me të qetë, fëmijët janë të sigurt në shkolla, bandat janë brenda kangjellave te burgut.
Ka patur një diskutim gjatë këtyre kohëve edhe mbi mandatin e kësaj gjykate, ndaj dhe gjej rastin për të shprehur qëndrimin tim, se asgjë më shumë se ekzistenca e kësaj gjykate, profesionalizmi, përkushtimi, politika e rreptë penale ndaj të gjitha formave të krimit të organizuar, nuk e ka ngritur reputacionin e drejtësisë ne Shqipëri. Ndaj dhe asnjë rrugë tjetër, përveç përkrahjes tuaj, drejtuesve të kësaj gjykate, fuqizimit të saj, rritjes se kompetencave nuk do ishte më efikase në luftën ndaj krimit në Shqipëri.
I bindur plotësisht në performancën dhe profesionalizmin tuaj, më lejoni të shpreh edhe njëherë mirënjohjen për punën, përkushtimin, profesionalizmin e secilit prej jush dhe drejtuesve tuaj, duke ju siguruar për mbështetjen maksimale të qeverisë në kontributin historik që ju keni dhënë dhe po jepni në drejtësinë shqiptare.
Ju faleminderit!