Kuvendi miraton me 128 vota ligjin për konferencën gjyqësore
Kuvendi miratoi sot e enjte 26.07.2012 ligjin për konferencën gjyqësore me 128 vota pro duke marrë kështu edhe votat e opozitës.
Ministri i Drejtësisë , z. Eduard Halimi deklaroi në këtë rast se miratimi i projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”, plotëson një pjesë të rëndësishme të mozaikut të reformës në drejtësisë, si një ndër sfidat prioritare të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Integrimit Europian, parashikuar në Planin Legjislativ të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2012, si dhe në Planin e Veprimit të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë.
Më poshtë fjala e plotë e Ministrit
*Sot, Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet shqyrtimit dhe miratimit të projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”, plotëson një pjesë të rëndësishme të mozaikut të reformës në drejtësisë, si një ndër sfidat prioritare të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Integrimit Europian, parashikuar në Planin Legjislativ të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2012, si dhe në Planin e Veprimit të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë.
Pothuajse çdo javë po flasim për reformën në drejtësi, të bindur dhe të vendosur se kjo reformë duhet të vijë nëpërmjet një procesi të gjerë bashkëpunimi dhe konsultimi, duke përmirësuar çdo aktor të sistemit të drejtësisë.
Pushteti gjyqësor është thelbi i sistemit të drejtësisë dhe çdo nismë ligjore që trajton këtë pjesë të sistemit duhet hartohet me kujdes dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ministria e Drejtësisë, për çdo iniciativë ligjore të saj, bashkëpunon me Misionin e Asistencës së Bashkimit Europian për Sistemin e Drejtësisë, EURALIUS, duke pranuar çdo sugjerim dhe rekomandim të ekspertëve ndërkombëtar të këtij Misioni, si dhe duke kërkuar certifikimin prej tyre të projektakteve, mbi përputhshmërinë e iniciativës me standardet dhe eksperiencat më të mira europiane në këtë fushë.
Projektligji ka kaluar ne nje rruge te gjate konsultimi dhe marrje mendimesh nga te gjithë aktoret. Ky projektligj i është nënshtruar disa tryezave konsultative me te gjithë aktoret, tryeza këto te hapura për median dhe publikun. Me pas ky projektligj morri te gjitha komentet e shkruara dhe pasi u konsultua me gjithë ekspertizën ndërkombëtare, Misionin Euralius ai erdhi ne ketë seance
Ministria e Drejtësisë, në hartimin e këtij projektligjit, ka mbajtur në konsideratë se tërësia e gjyqtarëve të të gjitha niveleve, si një organizëm vetërregullues, duhet të ndërtohet mbi bazën e parimeve dhe të standardeve kushtetuese, në respekt të pavarësisë së gjyqësorit e të gjyqtarëve, me qëllimin që zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të garantojë ushtrimin e funksionit kushtetues të këtij fundit në mbrojtje të pavarësisë dhe të vetadministrimit të gjyqësorit.
Unë gjykoj se projektligji që shqyrtojmë sot e përmbush këtë qëllim dhe për pasojë gëzojë mbështetjen e secilit prej Jush.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare” synon të plotësojë detyrimin kushtetues të sanksionuar në nenin 6 të Kushtetutës, si dhe të plotësojë vakumin ligjor të krijuar në legjislacionin shqiptar nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 25/2008.
Kushtetuta i ka dhënë Konferencës Gjyqësore Kombëtare një pozitë të rëndësishme kushtetuese dhe e ka pajisur atë me një rol përcaktues në funksion të forcimit dhe të mbrojtjes së pavarësisë të pushtetit gjyqësor. Rregullimi me ligj i mënyrës së organizimit dhe funksionimit të këtij organi, shërben si një garanci më shumë për vetëqeverisjen e gjyqësorit dhe respektimin e pavarësisë së këtij pushteti.
Roli që projektligji i ka njohur Konferencës Gjyqësore Kombëtare në mbrojtjen dhe promovimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, në përcaktimin e drejtimeve kryesore të veprimtarisë së gjykatave, apo në paraqitjen e rekomandimeve tek autoritetet përkatëse shtetërore për një administrim të paanshëm dhe efikas të gjykatave të Shqipërisë, dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional të pushtetit gjyqësor, do ta shndërrojë këtë institucion në forumin qeverisës dhe politikbërës të pushtetit gjyqësor.
Me miratimin e këtij projektligji, gjyqtarët e të gjitha shkallëve të sistemit gjyqësore, do të kenë të mundur të organizohen në një mënyrë demokratike, në bazë të rregullave të paracaktuara dhe të detyrueshme për zbatim.
Kjo përbën premisë të sigurt që çdo gjyqtar të ketë rolin e tij në vendimmarrjen mbi çështjet që lidhen me sistemin gjyqësor, si dhe bën të mundur që zëri i tij, nëpërmjet Konferencës Gjyqësore Kombëtare, të dëgjohet dhe të merret në konsideratë.
Gjyqtarët, nëpërmjet këtij ligji, kanë garancinë se do të mund të organizohen dhe veprojnë, në mënyrë të pavarur dhe larg çdo ndikimi, në përmbushjen e funksioneve që Kushtetuta i ka ngarkuar.
Një nga detyrat kushtetuese themelore që ka Konferenca Gjyqësore Kombëtare është zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Projektligji parashikon se anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, duhet të jenë 5 gjyqtarë të gjykatave të shkallës së parë; 3 gjyqtarë të gjykatave të apelit; dhe 1 gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Kjo formulë përzgjedhje siguron përfaqësimin në këtë organ të interesave të gjyqtarëve të të gjitha shkallëve të sistemit gjyqësor, duke garantuar mbrojtjen e tyre nga çdo ndikim i papërshtatshëm. Nga ana tjetër, projektligji parashikon një procedurë të hollësishme të përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, procedurë kjo që garanton transparencën, parimin e konkurueshmërisë, duke siguruar një përbërje cilësore të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe funksionimin me anëtarësi të plotë të këtij organi në çdo kohë.
Projektligji synon te largoje çdo te mete apo handikap te krijuar gjate ketyre viteve, sidomos gjate vakancave ne procesin e zgjedhjes, duke parashikuar fillimin e procedurave për zgjedhjen e anëtareve, te paktën 90 dite para mbarimit normal te mandatit për anëtare te KLD.
Projektligji rregullon edhe marrëdhëniet e të zgjedhurve në KLD me Konferencën Gjyqësore Kombëtare, duke parashikuar që në mbledhjen e përgjithshme vjetore të KGJK-së anëtarët e zgjedhur në KLD, në mënyrë individuale ose kolegjialisht duhet të paraqesin një raport të hollësishëm për përfaqësimin e pushtetit gjyqësor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Në përfundim të raportimit KGJK-ja mund të miratojë një rezolutë nëpërmjet së cilës përcaktohet drejtimi kryesor i veprimtarisë së përfaqësuesve të saj në KLD për vitin e ardhshëm.
Nga ana tjetër, projektligji parashikon ndalimin me ligj të konfliktit të interesit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke parashikuar që anëtarët e zgjedhur nga KGJK nuk mund të paraqesin kërkesë për transferim apo ngritje në detyrë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre. Ky parashikim ligjor do të bëjë të mundur që anëtarët e KLD të zgjedhur me votat e gjyqtarëve, gjatë ushtrimit të funksionit të tyre të mos punojnë për veten, por të përfaqësojnë interesat e kolegëve të tyre, që i kanë besuar misionin e qeverisjes së pushtetit gjyqësor.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Gjatë këtij sesioni parlamentar ne reformuam aktorë të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë. Hartuam dhe po implementojmë paketa të rëndësishme ligjore të sistemit të drejtësisë që reformuan sistemin e dënimeve alternative, mbikëqyrjen elektronike të të dënuarve, reformuam sistemin e përmbarimit në Shqipëri duke kaluar në privatizim të këtij shërbimi, reformuam kuadrin ligjor për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, duke krijuar Gjykatat Administrative, reformuam tërësisht regjistrimin e pronave, duke dixhitalizuar gjithë procesin e regjistrimit dhe aplikimit, reformuam noterinë, duke e kthyer sistemin One Stop Shop në një sistem lider në rajon, me dobi të jashtëzakonshme për qytetaret.
Disa nga koleget, ne ketë salle u treguan skeptike nëse këto reforma edhe pse ishin me shumice te thjeshte, do te implementoheshin apo do te mbeteshin ne letër. Sot e them me përgjegjësi te plote para jush de qytetareve, se te gjitha reformat qe kemi premtuar dhe kemi votuar ne ketë salle gjate këtij sesioni janë ne implementim te plote te tyre, dhe qytetaret po prekin çdo dite te mirat dhe benefitet e këtyre reformave.
Por sigurisht, dhënia e votës së cilësuar për projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”, na bën të ndjehemi mirë dhe te ecim te sigurt në vazhdimin me sukses të reformave që po ndërmarrim në sistemin e drejtësisë. Megjithatë, do të isha shumë herë më i lumtur, nëse sot, së bashku me këtë projektligji, ne do të shqyrtonin dhe miratonim edhe projektligjin për reformimin e Gjykatës së Lartë.
Ndaj dhe shpresoj qe ne ditët e para te sesionit te ardhshëm ne te ulemi serish, se bashku me ekspertet ndërkombëtare për te diskutuar dhe miratuar edhe ate projektligj, jashtëzakonisht te rendesishem, per sistemin gjyqësor, dhe si kusht per fillimin e implementimit te ligjit për Gjykatën administrative.
Ne përfundim do doja te falënderoja çdo deputet te komisionit te ligjeve qe kontriboi ne përmirësimin e kesaj nisme ligjore, te falënderoja te gjithë trupën gjyqësore ne Shqipëri qe kontriboi ne hartimin e këtij ligji, Unionin e Gjyqtareve te Shqiperise, anëtaret e KLD dhe sigurisht misionin Euralius dhe ekipin e tij te eksperteve për mbështetjen dhe certifikimin qe i kane bere këtij projektligji para se te vinim ne Parlament.
Reforma ne Drejtësi kërkon padyshim nje kontribut, vullnet dhe vizion te përbashkët. Unë jam i bindur se kontributi i çdo deputeti, i mazhorancës dhe i opozitës, në konkretizimin dhe realizimin me sukses të reformës në drejtësisë, është thelbësor dhe i rëndësishëm, prandaj ju ftoj të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë që të ecim përpara me reformën në drejtësi, për të implementuar standardet më të mira europiane në fushën e drejtësisë, sepse vetëm kështu garantojmë një të ardhme të sigurt të vendit tonë në familjen europiane, garantojmë një sistem gjyqësor te pavarur dhe te përgjegjshëm, për ne, votuesit tanë, për Shqipërinë europiane
JU FALEMINDERIT!