Ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi takohet me Reporterin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, z. Nicolaos Chountis
Ministri i Drejtësisë priti sot Reporterin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, eurodeputetin grek Nicolaos Chountis, i cili po mban takime të nivelit të lartë në vend në kuadër të përgatitjeve të rezolutës së Parlamentit Europian për integrimin Europian të Shqipërisë.
Ministri e informoi Raporterin e Parlamentit Europian rreth plotësimit të prioriteteve të vëna nga BE për Shqipërinë si miratimin me konsensus të reformës zgjedhore si dhe nisjen nga puna për hartimin e kodit zgjedhor; zgjedhja me konsensus e Avokatit të Popullit ; miratimi i të gjitha ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend ; miratimin e ndryshimeve në kodin penal dhe në ligjin për Konferencën Gjyqësore.
Çështje kryesore e bisedës me palëve ishte zgjidhja përfundimtarë e kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë . Nga ana e tij Ministri Halimi theksoi se mazhoranca ka shprehur vullnetin maksimal për heqjen e imunitetit si kusht themelor për procesin e integrimit të vendit.
“ Mazhoranca ka bërë dhe po bën të gjitha përpjekjet qe çështja e imunitetit te zgjidhet përfundimisht pas një beteje gati 10 vjeçare në parlament. Por zgjidhja e referendumit popullor mbetet një rrugë in-extremis, në rast se opozita do të vazhdojë të bllokojë këtë proces.”.- deklaroi Ministri Halimi.
Më tej Ministri bëri një përmbledhje të gjithë nismave që ka realizuar ministria e Drejtësisë gjatë një viti si në drejtim të dixhitalizimit të sistemit gjyqësorë nëpërmjet krijimit të një portali on line për gjykatat; regjistrimin audio dhe video të seancave gjyqësore; hartimit brenda 8 muajve me mbështetjen e ekspertëve të BE-së dhe Bankës Botërore dhe me asistencën e misionit EURALIUS të Strategjisë për të Drejtat e Pronësisë në vend e cila parashikon t’i japë zgjidhje problemit të pronave në vend në një afat 8 vjeçar; dixhitalizimin e regjistrit të tokës, dixhitalizmin e hipotekës së Tiranës; reformën One Stop Shop për noterët; rezultate pozitive në fushën e trajtimit e të dënuarve në vend me krijimin e infrastrukturës moderne të institucioneve të vuajtjes së dënimit ; nisjen e aplikimit të mbikëqyrjes elektronike për të dënuarit nisma këto që kanë kthyer Shqipërinë në një vend lider në rajon .
Nga ana e tij, Raporteri Chountis e falenderoi ministrin për ekspozenë, vlerësoi reformat e arritura në fushën e drejtësisë si dhe theksoi mbështetjen brenda Parlamentit Europian për avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë.